Finalizohet operacioni policor i koduar “Kimistja 2” në Tiranë, kapet një vajzë e re që ishte mjeshtre e përgatitjes dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Në këtë aksion u sekuestruan doza me heroinë, ekstazi, metadon dhe lëndë narkotike në formë të lëngët.

Policia tha se D. Z., 24 vjeçe, banuese në Tiranë që ra në pranga, ishte poseduesja, njëkohësisht dhe shpërndarësja e lëndës narkotike.

Aksioni për kapjen e 24 vjeçares erdhi pasi agjentët antidrogë kishin informacion se kjo shtetase iu shiste drogë sintetike të llojeve të ndryshme në qytetin e Tiranës, kryesisht në lokalet me muzikë në zonën e Porcelanit, Pazarit të Ri dhe Bllokut, personave të ndryshëm, kundrejt çmimeve që varionin nga 1.000 lekë të rinj deri në 10.000 lekë të rinj për një dozë (kokërr).

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, 24-vjeçares iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë të dyshuar heroinë, ekstazi, metadon dhe një aparat celular.

Gjithashtu, asaj i është sekuestruar edhe një lloj droge në formë të lëngët, të cilën e shpërndante me shiringë, që zakonisht përdoret nga moshat e reja duke e tretur në pije.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.