Teksa numri i të helmuarve në Deçan të Kosovës nga uji i pijshëm i ka tejkaluar 1500, edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se ai është një prej të prekurve nga simptomat e helmimit.

Ai ka thënë se ka shfaqur disa probleme shëndetësore por jo shumë shqetësuese.

“Të them të drejtën nuk kam pasur simptoma të mëdha, kam pasur pak por jo të mëdha. Fëmijët e motrës Antigonës po u prek rëndë. Shumë të afërm. Nuk është diçka që shpjegohet si gjendje”, tha ai.

Haradinaj tha se ka një qetësim të gjendjes.

“Është zvogëluar numri i atyre që kërkojnë ndihmë mjekësore që jep shpresë se do të ndërpritet kjo gjendje. Situatë mjaft e çuditshme dhe jo e zakonshme. Sidomos dy ditët e para kanë qenë të rënda. I kam parë njerëzit duke vuajtur e veçanërisht ishte e dhimbshme t’i shohësh fëmijët duke vuajtur”, tha ai në Kanal 10.

Prej një jave Deçani është në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të helmimit që ka prekur më shumë 1500 qytetarë. Ende nuk dihet se nga ka ardhur helmimi i banorëve, ndërsa në analizat e para janë zbuluar disa baktere kontaminuese, por ende nuk ka një rezultat përfundimtar.