Olimpiada e Dani Ceballos mund të ketë mbaruar tashmë. Mesfushori spanjoll, në fakt, pësoi një ndërhyrje vrastare në ndeshjen debutuese të Spanjës kundër Egjiptit, në raundin e parë të grupit C të “Tokyo 2020”. Kombëtarja spanjolle u ndal 0-0 nga “faraonët”, teksa në fundin e pjesës së parë, Ceballos u desh të largohej nga fusha, pas një ndërhyrjeje brutale të Taher.

Ky i fundit ndërhyri me taka në kyçin e këmbës të mesfushorit të Spanjës nën “hundën” e arbitrit. Fillimisht kryesori bëri me shenjë që aksioni të vazhdonte për avantazh, por më pas u sinjalizua nga dhoma e VAR-it për të shqyrtuar faullin. Pasi iu drejtua ekranit në fushë, gjyqtari vendosi t’i nxirrte vetëm kartonin e verdhë egjiptianit.

Ceballos, pas një ndërhyrje të stafit mjekësor u përpoq të qëndronte në fushë, por më pas u detyrua të ngrejë “flamurin e bardhë”. Një foto e kaviljes së tij tregon dëmtimin serioz, me kyçin e këmbës të enjtur. Kushtet e tij shëndetësore do të vlerësohen, por sipas të gjitha gjasave, Olimpiada ka përfunduar këtu për të.