Nga Kreshnik Spahiu


Në mes të plazhit çdo 5 minuta shfaqet ndonjë fshatar me gomar dhe dy kosha fruta:
Fiqtë 13.000 lekë/kg
Qershitë 8.000 lekë/kg. …. etj etj

Ndokush mund të thotë: Ai fshatari është i varfër dhe mban familjen me atë koshin me fiq.
Dakord! Dakord, por kjo logjikë e njerëzve të çmendur ka rrënjosur një mentalitet spekulues dhe shkatrrues për shoqërinë shqiptare dhe po rrënon turizmin shqiptar çdo ditë për këto arsye:

– Këta fshatarë me gomar nuk paguajnë as qira dyqani dhe as taksa apo tatime dhe sërish kanë çmime 10- fish të larta duke çuar në faliment ata mijëra fshatar të tjerë që kanë dyqane fruta-perimesh dhe detyrohem të paguajnë qira dhe taksa duke pasur një kosto më të lartë.

– Këta fshatarë me gomar, në shumicën e tyre janë mashtrues ordinerë sepse nuk kanë fruta bio nga ferma e tyre, por i kanë blerë te maunet me shumicë që vijnë nga Maqedonia.

– Këta fshatarë me gomerë, janë selektivë dhe largojnë turistët. Ata ndryshojnë çmimin sipas surratit dhe origjines së turistit. Ata ia shesin kosovarëve me 12 euro/kg, polakëve me 10 euro/kg, maqedonasve me 9 euro/kg e kështu me radhë.

Këta fshatarë me gomerë i shesin fruta- perimet më shtrenjtë se në Itali, Francë, Spanjë, Amerike dhe në injorancën e tyre mendojnë që ata turistë që kanë para nuk marrin vesh nga ushqimet apo nga cilësia e tyre. Harrojnë që turisti elitar ka shëtitur gjithë botën dhe bën me lehtësi dallimin e çmimit apo cilësisë.

Këta fshatarët me gomerë janë dhe totalish të pisët dhe jo higjenikë sepse i shesin jashtë çdo standarti, të ruajtjes së temperaturave. Ata e shesin kg e fiqve 12 euro po nuk blejnë një mini-ftohës apo larës 20 euro për ta ruajtur dhe tregtuar me standard mallin i cili mund të helmojë edhe qentë e plazhit e jo më turistët.

Këta fshatarët me gomerë cënojnë dhe imazhin e turizmit kur shfaqen në bregun e hoteleve me 5 yje duke ulëritur “fiq, rush, banane” dhe duke ecur me gomarin e fshatit mbi të cilin janë mbledhur 2000 miza të zeza kali.

Për këto arsye mos ju duket çudi që turistët e juaj apo shqiptar, nuk shkelin dy herë në bregdetin shqiptar duke mos përsëritur gabimin e parë.

Dhe problemi nuk është vetëm tek fshatarët që kanë çmimet më të shtrenjta në botë pavarësisht se nuk paguajnë qira apo taksa, por tek çdo operator që lidhet me turizmin:
– te taksisti që po të pa nga Kosova të merr 50 euro.
– te lavazhisti makinës që të merr 20 euro po ishte nga Tetova.
– te kamarieri që të rri me turinj sikur po i kërkon lek borxh.
– te pronari restorantit që nëse nuk porosit 3 shishe verë të thotë tavolina është e rezervuar.
– te pronari i hotelit që nëse paguan dikush më shumë se ty, mund të ngelësh në recepsion duke të thene: Na është prish kompjuteri dhe nuk na ka ardh rezervimi yt.
– te pronarët injorantë të bareve që në ora 7 të mëngjesit nuk të lejojne të shijosh valët e detit, por ngrenë muziken me tallava në kupë të qiellit.
– te pronarët e zhezlloneve që janë me pistoleta në brez dhe gjuajnë gjithë vajzat kliente në çadrat e tyre.
– te ndërtuesit që pushtojnë hapësirat dhe rrafshojnë pemët në bregdet.
Me pak fjalē nuk po e krahasoj dot as me Afrikën se s’kemi shans t’i afrohemi traditave turistike të Egjiptit, Tunizisë, Marokut, Afrikës Jugut etj.
Thjesht kemi ngelur në nivelin e turizmit me gomar, të cilin ende si shoqëri me injorancën tonë nuk e kuptojmë që po e rrënojmë çdo vit.

Ahhh më falni se harrova djegien e koshave të plehrave që digjen në flakë çdo 100 metra në bregdet, aq sa kur fluturon me avion të duket jo sikur fluturon në Rivierë, por në një tokë e djegur dhe mbuluar në tym. Mbani hundën përpara se avioni të hapë dyert…

Po zbresim në tokën e bekuar që na ka falur Perëndia, që po kallet nga ligësia.