Është dita e “pasaportës së gjelbër” në Itali pasi ka hyrë në zbatim dekreti i qeverisë që detyron qytetarët të paraqesin certifikatën e imunitetit për të zhvilluar një sërë aktivitetesh.

Skanimi i barkodit që vërteton vaksinimin anti-covid ose rezultatin negativ, do të bëhet në bare dhe restorante në ambiente të mbyllura, për spektakle me publik në të hapur, si dhe evente të tjera sportive dhe kulturore.

Pasaporta e gjelbër do të duhet edhe për të hyrë në muze, shfaqje si dhe për të frekuentuar pishina, palestra e aktivitete të tjera në ambiente të mbyllura.

“Në këtë vend të gjithë janë të lirë të zgjedhin dhe për këtë arsye askush nuk është i detyruar të marrë vaksinën, por për mendimin tim Green Pass është një gjë e mirë sepse përndryshe me përhapjen e variantit Delta situata do të ishte jashtë kontrollit”, shprehet Tosca Riboni, banore e Romës.

“Nëse Green Pass është një mënyrë për ne që të shijojmë pushimet tona dhe të kthehemi në jetën tonë normale, kështu qoftë!”, thotë një tjetër banore.

Pasaporta e imunitetit do të përdoret edhe për personelin e shkollave, nxënësit mbi 12 vjeç si dhe në universitete. Gjithashtu, italianët duhet ta tregojnë atë nëse duan të hyjnë në sallat e lojërave, të basteve, bingove dhe kazino.

Nga shtatori pritet që aplikimi i Green Pass të zgjerohet më tej edhe në udhëtimet me trena, autobusë dhe avionë. Kjo metodë e qeverisë italiane i ka dhënë një shtysë të madhe fushatës së vaksinimit, teksa qytetarët janë dyndur në qendrat e imunizimit.