Forcat Operacionale të Kukësit në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, punonjës të shërbimit pyjor si edhe banorë të zonës kanë rinisur punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, të cilat prej më shumë se një jave vijojnë të jenë aktive.

Në ditën e sotme operacioni po zhvillohet në Majën e Rrunës dhe Qafën e Mollave, pasi në këto zona vatrat e zjarreve kanë një aktivitet me sipërfaqe të lartë pyjore, ndërkohë një vatër e rrezikshme pritet që të afrohet në zonën e quajtur Laku i Thive.

Për izolimin dhe shuarjen e zjarrit në Majën e Rrunës janë angazhuar 10 forca zjarrfikëse, 6 punonjës të pyjores, 5 punonjës të NjA Malzi, 20 forca nga komuniteti i zonës dhe forcat e DMR-së Kukës.

Temperaturat e larta dhe erërat favorizojnë përhapjen e flakëve.

Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se një helikopter do të bashkohet ekipeve të Kukësit për shuarjen e vatrave serioze.