Me ardhjen e Leo Messit në “Parc des Princes”, Al-Khelaifi dhe PSG kanë krijuar një sulm atomik, luksoz. E kemi fjalën për tridentin (treshen) Messi, Neymar dhe Mbappé. “Les Galactiques” kanë lindur me qëllimin për të fituar Ligën e Kampionëve të shumëpritur nga klubi parizien dhe për të vazhduar të dominojnë garat në Francë.

Bazuar në grupin aktual, Al-Khelaifi ka krijuar një skuadër ëndërrash, në të cilën do të ketë të përfshirë tridentin më të mirë në historinë e futbollit modern. Dje, spanjollja “MARCA” shtroi një sondazh me lexuesit e vet, duke i pyetur se cili do të ishte tridenti më i mirë. MSN (Messi, Suárez dhe Neymar) triumfoi mbi pjesën tjetër, me BBC (Benzema-Bale-Cristiano) si humbësin e qartë.

Por qofshin MSN, BBC apo 3R (Ronaldo, Ronaldinho dhe Rivaldo), të gjithë lanë momente për historinë e futbollit dhe një imazh të fuqisë e superioritetit që nuk do të fshihen kurrë nga kujtesa e atyre që mundën t’i shikonin duke luajtur.

MSN (Messi-Suárez-Neymar)

Treshja e formuar nga argjentinasi, uruguajani dhe braziliani qëndroi te Barcelona për tri sezone: nga 2014-2015 deri më 2016-2017. Përgjatë këtyre tri sezoneve, ekipi Blaugrana fitoi 9 tituj, duke përfshirë tripletën. Ky bilanc ngërthen: një Ligë Kampionesh, një Botëror Klubesh, dy La Liga, një Superkupë Europe, një Superkupë Spanjolle dhe tri Kupa Mbreti.

E thënë ndryshe, në kohën e këtij tridenti, Barcelona fitoi 138 ndeshje nga 181, ku MSN ishte në skuadër (76.2%). Tridenti shënoi 364 gola nga 519 në total të gjithë ekipit katalanas. Messi shënoi 153 gola, karshi 121 dhe 90 golave të Suarez e Neymar, respektivisht. Tre sulmuesit shënuan në të njëjtën ndeshje deri në 22 herë.

BBC (Benzema-Bale-Cristiano)

Në “Santiago Bernabeu” ishin në gjendje të shijonin tridentin e tyre të ëndërruar për disa sezone. BBC u kurorëzua kampion deri në 13 herë, duke përfshirë katër Liga Kampionesh, tri Superkupa Europe, tre Botëror Klubesh, një Superkupë Spanjolle, një Kupë Mbreti dhe një La Liga gjatë pesë sezoneve së bashku.

Benzema, Bale dhe Cristiano Ronaldo regjistruan 201 fitore në 293 ndeshje (71.7%) dhe shënuan 442 nga 784 golat e Real Madridit. Portugezi shënoi 249 herë, francezët 105 herë dhe 88 gola ishin vepër e uellsianit. Bale, Cristiano dhe Benzema shënuan të tre në një ndeshje 13 herë.

Përplasjet në “El Clasico”

Gjashtë lojtarët përkonin në fushë dhe u përballën me njëri -tjetrin në tri ndeshje klasike (Barcelona-Real Madrid). 7 nga 10 golat e shënuar ishin të tyrët:

La Liga (03/22/2015) Barcelona-Real Madrid 2-1

La Liga (21/11/2015) Real Madrid-Barcelona  0-4

La Liga (04/02/2016) Barcelona-Real Madrid  1-2

3 R (Ronaldo-Ronaldinho-Rivaldo)

Ronaldo, Rivaldo dhe Ronaldinho krijuan tridentin e frikshëm të kombëtares braziliane në Kupën e Botës 2002 (Kore dhe Japoni). Aty, Selecao u shpall kampione e botës, pasi ra në finalen e vitit 1998 kundër Francës së Zidane. Kombëtarja braziliane ngriti trofeun duke arritur fitore të plota. Ajo fitoi në shtatë ndeshjet e luajtura në atë kompeticion, kundër Turqisë, Kinës dhe Kosta Rikës në grupe.

Pastaj, në fazat me eliminim direkt likujdoi Belgjikën, Anglinë, Turqinë dhe Gjermaninë. Këtë të fundit në finale, me një dopietë nga Ronaldo. Roli kryesor në triumfin brazilian i Rivaldos dhe Ronaldinho ishte vendimtar. 15 nga 18 golat e shënuar nga Brazili ishin të këtij tridenti. Ronaldo ishte golashënuesi më i mirë i turneut me 8 gola, Rivaldo kontribuoi me 5 gola të tjerë dhe Ronaldinho shënoi 2 gola.

MNM (Messi-Neymar-Mbappé)

Tre tridentë historikë shumë të ndryshëm me aftësitë e tyre karakteristike. Nga fuqia e BBC në gëzimin brazilian, përmes individualitetit dhe kapacitetit asociativ të MSN. Ka shumë pritshmëri të vendosura për “Les Galactiques” dhe nivelin që PSG mund të arrijë me MNM (Messi, Neymar dhe Mbapé).

Në sezonin e tij të fundit në “Camp Nou”, ylli argjentinas realizoi 38 gola dhe dha 14 asiste në 47 ndeshje të luajtura. Nga ana e tij, Neymar regjistroi 17 gola dhe dha 11 asiste në 31 ndeshje. 42 gola dhe 11 asiste në 47 ndeshje të Mbappe. Mbetet vetëm për të parë se si përzihen letrat dhe numrat me të tre në një ekip, PSG.