Ditë më parë u fol se Nedim Bajrami ishte në radarët e kuqezinjve. Sot, mediat italiane shtojnë një shqiptar tjetër në këtë listë dëshirash të Paolo Maldinit për merkaton e verës.

Po, po; Kristjan Asllani, me origjinë nga Elbasani, djalë emigrantësh në Itali, synohet për mesfushën e Milanit. Siç raporton “Sportitalia”, kuqezinjtë ia kanë vënë syrin mesfushorit shqiptar të lindur në vitin 2002 dhe që luan tek Empoli.

Edhe klubi toskan mund ta lërë të largohet në fund të sezonit, por çmimi bazë është të paktën 10 milionë euro, jo pak për një lojtar që ka luajtur vetëm një sezon në Serie A, edhe pse ka bërë paraqitje shumë pozitive.

Milani po e ndjek nga afër dhe në verë mund të ndërmarrë hapin final për t’i siguruar shërbimet e lojtarit, që do të thirret edhe nga Edy Reja për dy miqësoret e këtij muaji, ndaj Spanjës dhe Gjeorgjisë.

Kujtojmë se tek Empoli luajnë edhe dy futbollistë të tjerë të kombëtares sonë, Nedim Bajrami dhe Ardian Ismajli.