SHBA po zhvillon bisedime të fshehta me Shqipërinë dhe Kosovën për të strehuar mijëra afganë, të cilëve u rrezikohet jeta në atdhe.

Agjencia Reuters thotë, se bisedimet sekrete konfirmohen nga katër zyrtarë të administratës së Joe Biden. Sipas Reuters, diskutimet e pa raportuara më parë me vende të tilla si Kosova dhe Shqipëria nënvizojnë dëshirën e administratës për të mbrojtur afganët që bashkëpunuan me SHBA-në nga hakmarrja talibane, deri sa të përfundojë procesi i miratimit të vizave të tyre amerikane.

Me talibanët që shtrëngojnë kontrollin e tyre mbi Afganistanin me një ritëm tronditës e të shpejtë, Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten se do të dërgojnë 1.000 persona në Katar për të përshpejtuar përpunimin e aplikimeve për Vizat Speciale të Imigrimit (SIV). Afganët që shërbyen si përkthyes për qeverinë amerikane dhe në punë të tjera kanë të drejtë të aplikojnë për programin SIV.

 Deri më tani, rreth 1,200 afganë janë evakuuar në Shtetet e Bashkuara dhe ky numër do të rritet në 3,500 në javët e ardhshme nën “Operacionin e Aleatëve Refugjatë”, me disa që shkojnë në një bazë ushtarake amerikane në Virxhinia për të përfunduar dokumentet e tyre dhe të tjerë drejtpërdrejt tek vende aleate.

 Nga frika se përparimet e talebanëve po rrisin kërcënimin për aplikantët e SIV që janë ende në pritje, Uashingtoni po kërkon vendet e treta që t’i presin ato derisa të mbarojnë dokumentet e tyre dhe ata të mund të fluturojnë për në Shtetet e Bashkuara.

 “Është thellësisht shqetësuese që nuk ka ndonjë plan konkret për evakuimin e aleatëve të cilët janë qartë në rrezik,” tha Krish O’Mara Vignarajah, president i organizatës së zhvendosjes së Shërbimit Ligjor të Imigrimit dhe Refugjatëve.

 “Është befasuese pse administrata ka marrë kaq shumë kohë për të siguruar këto marrëveshje,” tha ajo.