Specialistët thanë se nuk ishte i fortë në dalje. Në fakt ai bëri historinë. Në moshën 22-vjeçare, pa kontratë ose ndonjë lloj sigurie tjetër, u largua nga klubi ku filloi karrierën si profesionist, Milani. Thotë se e bëri këtë për të ndjekur një ëndërr personale.

Një pakt me veten, por edhe një “kërcim origjinal” në errësirë, duke pasur parasysh moshën e “akrobatit”. Forca e milionave, u shkrua, lakmia tipike e futbollistit… Po flasim për një “plak të ri”, motoja e të cilit mund të përmblidhet nga një aforizëm i Bierce: “Shpresa; shkrirje midis lakmisë dhe pritjes”.

Për herë të dytë në pak vite, mbiemri i tij u tjetërsua në “Dollarumma” nga tifozët. U desh një Europian i mahnitshëm dhe titulli i lojtarit më të mirë të turneut për të zbutur acarimet e tifozëve. Gigio Donnarumma tani është në Paris, “atje ku bie shi sot”, thotë ai.

Ish-portieri kuqezi është te PSG së bashku me shumë elementë të spikatur në Serie A: Hakimi, Marquinhos, Verratti, Paredes, Icardi, si dhe me bizhuteritë më të çmuara të futbollit botëror: Sergio Ramos, Wijnaldum, Di Maria, Neymar, Mbappé.

Dhe Messi, nga i cili e nis intervistën për “Corriere dello Sport”: “Është e pabesueshme, si një grusht shteti i vërtetë… Kur u bë e ditur lamtumira e tij ndaj Barcelonës, nuk mund ta imagjinoja që do të vinte këtu. Tashmë, PSG është një ekip fenomenesh. Messi stërvitet me ne, e çuditshme apo jo?”

Flokë më të shkurtër se zakonisht, trup i dobët, bluzë e bardhë, Donnarumma është në paqe të plotë. I kujtojmë atij se seria e penalltive ka përfunduar prej kohësh. Ai shpërthen me një buzëqeshje të madhe:

“50 ditë fantastike nga fillimi i grumbullimit me kombëtaren deri në finalen e ‘Wembley’. Më mungojnë ato momente. Herë pas here hyj në ‘youtube’, i rijetoj disa faza të udhëtimit tonë mbresëlënës dhe emocionohem. Ne shpesh flasim ose shkruajmë me shokët tanë të ekipit kombëtar, kemi një grup të përbashkët komunikimi”.

Triumfin e Italisë në “Euro 2020” e përshkruan kështu: “Ajo fitore ishte rezultat i punës së Mancio, një trajner i jashtëzakonshëm, dhe i një grupi të bashkuar. Asnjë pendesë, asnjë mërzitje, ne bëmë gjërat e zakonshme, por me një shije të ndryshme. Ne treguam unitet dhe çdo ndeshje, pavarësisht nëse nuk mund ta vini re nga shtëpia, e jetuam si të ishte e fundit. Dhe pastaj Ciro, Lorenzo, unë, ne jugorët jemi të çmendur dhe dimë ta bëjmë grupin”.

Kjo ishte historia e Europianit. Megjithatë, më parë, Gigio kishit provuar pasojat e një lamtumire të dhimbshme nga Milani: “Një kujtim i pakëndshëm, kur dola për herë të parë nga ‘Olimpico’. Atë kundërshtim të tifozëve u përpoqa të mos e mendoja shumë. Ndryshe do ndikonte për keq tek unë në Europian”.

Në fund, e pashmangshme pyetja se çfarë e shtyu të largohej nga Milani: “Nuk do të doja të flisja për sezonin e kaluar, nuk do të kishte kuptim sot, le të ndryshojmë temë. Kam kaluar tetë vite në Milano, ishte shtëpia ime, kam jetuar momente të mrekullueshme atje. Milani më emocionon edhe sot, kam respekt të madh për njerëzit që punojnë atje dhe për tifozët.

Kur mësova se drejtori (Gazidis) ishte i sëmurë, i shkrova duke i uruar që të kthehej sa më shpejt në Milanello, vendin e tij… Por, jeta përbëhet nga zgjedhje, unë dhe Milani kishim ambicie të ndryshme. U ndamë, por e kam në zemër fanellën kuqezi. Unë gjithmonë do të jem një tifoz i Milanit…”