Pas ankesave të njëpasnjëshme të arsimtarëve se janë thirrur në punë nga drejtuesit e shkollave, pa ezauruar lejen e plotë vjetore Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar është detyruar të sqarojë se, pavarësisht situatës jo të favorshme, mësuesit do të kthehen normalisht në shkolla vetëm pasi të kenë përfunduar afatin 45-ditor të pushimit. Nga sa kuptohet përmes njoftimit të DPAP-it, ndonëse institucionet arsimore të parauniversitarit çelin dyert në të njëjtën ditë, mësuesit, jo detyrimisht paraqiten të gjithë në një datë.

Kështu, disa prej tyre i bie të nisin punën në 23 gusht, domethënë sot e të tjerë në datën 30 për të qenë gati për mësim në ditën e parë të shtatorit. Nënvizojmë se çdo vit, praktikisht, mësuesit, ndonëse paraqiten në shkolla ditë përpara datës së paracaktuar për nisjen e saj, kryejnë vetëm disa orë pune e jo ditë të plotë. Njëjtë do të ndodhë edhe sivjet, pavarësisht datës së shtyrë për nisjen e vitit të ri shkollor.

URDHRI PËR SHKOLLAT

Prej ditësh, rrjetet e grupet sociale të krijuara që në kohën e post tërmetit në shkolla “vlojnë” pas alarmit për t’u kthyer në punë një javë më herët se zakonisht. Janë drejtoritë e shkollave ata që janë akuzuar (jo hapur) nga mësuesit se po keqpërdorin pushtetin e situatën e krijuar për të thirrur mësuesit në shkollë para afatit. Por, këtyre zërave iu ka dhënë fund Drejtoria e Arsimit Parauniversitar, në përbërje të së cilës janë katër të tjera që theksojnë se janë hiç më pak se 45 ditë kalendarike pushim për mësuesit. Në rast se nuk i kanë kryer, ligjërisht, nuk iu takon të paraqiten sot në punë.

“Në mbështetje të ligjit nr.7961 dt.12.07.1995 ‘Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar, të ligjit nr.69/ 2012, datë 21.06.2012 ‘Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar dhe të Kontratës Kolektive të lidhur midis Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Sindikatave të Arsimit, periudha e lejes për mësuesit, gjatë verës nuk mund të jetë më pak se 45 ditë kalendarike.

Duke qenë se jemi në fazën përmbyllëse për organizimin e vitit të ri mësimor, nga të gjithë drejtuesit e shkollave do të merren masat për të pasur në punë stafin e nevojshëm, të angazhuar me provimet e sesionit të dytë të klasave të ndërmjetme, provimet e Maturës Shtetërore dhe provimet kombëtare të arsimit bazë, sesioni i dytë. Për këtë qëllim drejtuesit e shkollave të zbatojnë grafikun e lejeve vjetore të miratuara, duke u mundësuar mësuesve që nuk kanë ezauruar lejen e zakonshme ta vijojnë atë dhe ndërkohë të marrin masat me pjesën tjetër të stafit për të pasur çdo gjë gati në 1 shtator, ditën kur fillon dhe mësimi plotësues në sistemim arsimor parauniversitar”, sqaron Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar në mesazhin që iu uron pushime të mbara mësuesve që vijojnë lejen dhe punë të mbarë atyre që rikthehen sot.

Vendimi, cilët nxënës ulen në banka në 1 shtator

Pas vendimit të beftë për të shtyrë me katër javë nisjen e vitit të ri shkollor 2021- 2022 dhe shtyrjen e mësimit plotësues edhe me dy javë të tjera, pikëpyetja më e madhe që lindi ishte se kush do të ulej në banka në datë 1 shtator. Pikërisht pas togfjalëshit se “mësimi do të ishte me dëshirë”, jo i detyruar, siç vijon të mbetet prej vitesh arsimi 9-vjeçar, nuk ka zgjatur shumë kureshtja. Një ditë pas deklaratës me vendimin e bujshëm, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, përmes një takimi virtual me Drejtoritë Arsimore la të kuptohej se për cilët nxënës, mësimi nga 1 shtatori do të jetë i detyrueshëm, ndërkohë që për të tjerët është me dëshirë.

“Mësimi plotësues që nis nga data 1 shtator 2021 nuk është bërë i detyrueshëm, por i rekomandueshëm, pasi jo në të gjitha shkollat është zhvilluar mësim në distancë apo online vitin e kaluar gjatë pandemisë. Gjatë pandemisë ka pasur shumë shkolla, të cilat e kanë zhvilluar mësimin me prezencë fizike. Ndërkohë që në dhjetë zonat e riskut, mësimi është organizuar në distancë për rreth dy muaj. Për këtë arsye, mësimi plotësues është lënë në fleksibilitetin e çdo shkolle për të hartuar programin specifik, sipas nevojës së nxënësve”, citohet në njoftimin e Ministrisë.

Një tjetër arsye për të cilën u kritikua e para e këtij dikasteri ishte se veç vendimit të komunikuar verbalisht, jo me shkresë, Kushi nuk dha asnjë detaj se si do të zhvillohet mësimi, qoftë ai plotësues, apo ai në datën 27. Duke kërkuar të bindë se kjo temë nuk ka qenë jashtë vëmendjes së saj, ministrja ndau me ndjekësit në rrjete sociale fotot nga videokonferenca me drejtues të zyrave vendore, drejtorive rajonale dhe përfaqësues të Ministrisë, që thuhet se janë të gatshëm për të plotësuar çdo nevojë të mundshme të institucioneve arsimore të arsimit parauniversitar. Ata mësohet të kenë diskutuar detaje për çështjet e nevojshme me qëllim për të qenë gati për të pritur nxënësit në ditën e parë të shtatorit, që qëllon mesjavë, si rrallëherë, pasi shkollat çelin dyert zakonisht në ditën e parë të javës.