Një shtetas i huaj me iniciale L.V. është arrestuar nga policia në rrugën Tamarë-Hani i Hotit. Ai ishte shpallur në kërkim nga SHBA për trafik droge.

Policia ka marrë informacione për vendndodhjen e tij nga zyra e DEA-s në Athinë. Pas dy muajsh hetime blutë kanë arritur ta mbërthejnë.

Njoftimi i policisë

Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Operacioni i koduar “Detroit”, i zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, zyra e Interpolit në Policinë e Shtetit, Njësia Hetimore “Jointshield” që funksionon në bashkëpunim DSS dhe OSI në Ambasadën Amerikane dhe me zyrën e DEA-s Athinë.

Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i huaj i kërkuar nga drejtësia amerikane, për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Policia e Shtetit, në bazë të informacioneve të marra nga Zyra e DEA-s në Athinë, se një shtetas i huaj i përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve mund të hynte në territorin shqiptar, menjëherë organizoi punën për lokalizimin e vendndodhjes dhe arrestimin e këtij personi.

Pas një pune të mirëfilltë hetimore dhe kërkimore prej më shumë se dy muajsh, duke analizuar lëvizjet e këtij personi në territorin shqiptar, u bë i mundur lokalizimi i vendndodhjes së tij.

Mbi bazën e informacioneve të grumbulluara, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe Njësia Hetimore “Jointshield” finalizuan operacionin “Detroit”, si rezultat i të cilit u bë e mundur që në rrugën nacionale Tamarë-Hani i Hotit, të kapej dhe të vihej në pranga shtetasi i huaj L. V., 41 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me qëllim fillimin e procedurave te ekstradimit drejt SHBA-së, sepse Gjykata e Michiganit/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendimin e datës 09.06.2021 i ka vendosur këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e vendosur për të punuar bashkërisht me partnerët në luftën kundër krimit të organizuar, me qëllim kapjen dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtrojnë këtë veprimtari kriminale.