Në Tiranë është parandaluar një ngjarje e mundshme kriminale. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 vunë në pranga një shtetas që qarkullonte si pasagjer në një automjet me dy granata dore me vete.

Në pranga u vu dhe drejtuesi i automjetit për veprën penale “Moskallëzim krimi”, ndërsa u sekuestruan 2 granata dore.

Zbulimi erdhi pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, në vendin e quajtur “Pallati me Shigjeta” kanë ndaluar për kontroll mjetin tip “Volkswagen Golf” me drejtues shtetasin F. L dhe pasagjer K. H.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, poshtë sediljes së pasagjerit ku ndodhej shtetasi K. H, sherbimet e Policisë gjetën dy granata dore.

Në përfundim të veprimeve, specialistët bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit” të shtetasit K. H., 27 vjeç, banues në Pogradec dhe për veprën penale “Moskallëzim i krimit” shtetasin F. Z., 44 vjeç, banues në Pogradec.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, por është e paqartë se çfarë donte të bënte i riu pogradecar në Tiranë, cilin donte të eliminonte me dy granata dore që kishte me vete.