Byroja Federale e Hetimit publikoi një pjesë nga një seri dokumentesh që lidhen me hetimin mbi sulmet terroriste të 11 shtatorit. Dokumenti, i cili daton në vitin 2016, siguron një numër detajesh në lidhje me hetimin e FBI-së për mbështetjen e supozuar të qeverisë saudite për terroristët.

Një konsull saudit dhe një agjent i dyshuar i inteligjencës saudite në Los Anxhelos, dyshohet se kanë ndihmuar të paktën dy prej terroristëve që rrëmbyen aeroplanët më 11 shtator 2001.

Në veçanti, dokumenti përshkruan lidhje dhe dëshmi të shumta që e shtynë FBI-në të dyshonte se Omar al-Bayoumi, zyrtarisht një student arab në Los Anxhelos, ishte një agjent i inteligjencës saudite, i cili siguroi ndihma për dy nga rrëmbyesit.

Ambasada Saudite në Uashington tha se “mirëpriti publikimin” e dokumenteve të FBI -së, por se “çdo pretendim kundër Arabisë Saudite për bashkëpunim në sulmet e 11 shtatorit është i gabuar”.

Urdhri ekzekutiv i Biden për të publikuar këto dokumente erdhi pasi më shumë se 1,600 njerëz të prekur nga sulmet i dërguan Biden një letër.