Brenda pak orësh, Malësia e Madhe është tronditur nga dy ngjarje të rënda ku janë përdorur armët e zjarrit duke shkaktuar një të vrarë dhe dy të plagosur.

Ngjarja e parë ka ndodhur në malin e Shoshit, ku janë qëlluar me armë babë e bir. Si pasojë e plumbave, ka humbur jetën Zef Guri, ndërsa është plagosur rëndë, djali i tij Gjin Guri. Ky i fundit dyshohet se ka qenë edhe shënjestra e këtij atentati ku mbeti i vrarë babai i tij.

Për shkak të zonës së thellë, ku ka ndodhur ngjarja mbërritja e policisë së Shkodrës dhe e drejtuesve të saj ka qenë e vështirë, ndërsa mësohet se janë shoqëruar edhe disa persona që mund të kenë dijeni mbi motivet e kësaj ngjarje.

Ndërsa forca të ndërhyrjes së shpejtë të mbështetur edhe nga RENEA, ka nisur operacionin për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve të këtij krimi të dyfishtë.

Dy vite më parë, të plagosurit Gjin Guri i kanë vendosur një sasi tritoli në lokalin e tij në zonën e Shoshit. Sakaq dy orë pas kësaj ngjarje një tjetër ngjarje me përdorimin e armëve të zjarrit është shënuar në Malësinë e Madhe, në fshatin Demiraj.

Sipas Njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur në një lokal, ku për motive të dobëta ka nisur një konflikt dhe ku ka mbetur i plagosur me armë zjarri një person. Policia ka shoqëruar autorin e plagosjes, ndërsa ka shpallur në kërkim edhe një tjetër person i përfshirë në konflikt.