Ditën e fundit të fushatës elektorale dhe kur na ndajnë vetëm dy ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, mes palëve politike ndihet tensioni.

Duke marrë shkas nga ngjarja në Maqellarë dje, ku u ndalua një makinë brenda të cilës kishte para që dyshohet se do shpërndaheshin për votuesit në këmbim të votës, ka bërë që kandidati i PD-së për deputet i qarkut Dibër, Xhelal Mziu të mos përmbahej me deklaratat.

Gjatë një takimi elektoral, Mziu iu ka bërë thirrje qytetarëve që të njoftojnë çdo rast të tentativës së blerjes së votës, ndërsa paralajmëron fundin për ata që tentojnë të korruptojnë.

“Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot e në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe ai do ta pësojë njësoj si ai i Elbasanit”, kështu deklaroi para qytetarëve Mziu.

Kujtojmë se dy ditë më parë në Elbasan mbeti i vrarë eksponenti i PS-së, Pjerin Xhuvani ndërsa u plagosën 4 persona të tjerë.

Për të njëjtën ngjarje kanë reaguar edhe ndërkombëtarët, mes tyre edhe ambasadorja Amerikane Yuri Kim e cila e ka kundërshtuar ngritjen e strukturës për mbrojtjen e votës në PD duke thënë se duhet t’u besojmë institucioneve shtetërore dhe jo grupeve të tilla pasi Shqipëria është një vend anëtar I NATO-a dhe synon anëtarësimin në BE.