Pas deklaratës së fortë që bëri sot nga Dibra, se ata që tentonin të blinin votën do të përfundonin të vrarë, duke sjellë shembullin e ngjarjes në Elbasan, vjen ndjesa nga kandidati për deputet i PD-së, Xhelal Mziu.

Përmes një deklarate, Mziu pohon se mbështet zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se është kundër dhunës.

“Me sinqeritetin më të madh, shpreh keqardhjen time dhe pendesën time për komentin tim të panevojshem dje, për shkak të emocioneve të forta të momentit. Dua të jem i qartë: unë mbështes zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jam KUNDËR dhunës! Jam penduar thellë për komentin tim dhe kërkoj ndjesë para gjithë shqiptarëve”, tha Mziu.

Më herët gjatë një takimi elektoral një ditë më parë, pas kapjes së makinës me para në Maqellarë, Mziu iu bëri thirrje qytetarëve që të njoftojnë çdo rast të tentativës së blerjes së votës, ndërsa paralajmëron fundin për ata që tentojnë të korruptojnë.

“Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot e në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe ai do ta pësojë njësoj si ai i Elbasanit”, kështu deklaroi para qytetarëve Mziu.