Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë ndjekur nga afër fillimin e procesit të vaksinimit ndaj COVID-19 për punonjësit e fasonerive.

“Fillojmë sot vaksinimin nëpër fasoneri. Aktualisht, kemi filluar vaksinimin sipas një liste, të cilën na e ka dhënë kryesia e gjithë fabrikave me materiale përpunuese. Janë rreth 60 mijë punonjës, por ne kemi vendosur kriteret e para për vaksinimin, që është kriteri i moshës dhe sëmundshmërisë. Sot kemi filluar në fasoneri, por me listat në vijim, do të fillojmë edhe në qendrat tona të vaksinimit të përqendruar, për të mos ndërprerë procesin e punës, por ndërkohë për të siguruar mbrojtje për të gjithë punonjësit”, deklaroi Manastirliu.

Kryeministri Rama ka nënvizuar se me procesin e vaksinimit anti-COVID në fasoneri, të gjitha gratë do të sigurojnë mbrojtje për shëndetin e tyre.

Në total, deri tani janë kryer 383 008 doza vaksine anti-COVID-19 dhe procesi po vijon për qytetarët mbi 60 vjeç, punonjësit e shërbimeve hoteliere dhe kategoria e re janë punonjësit e fabrikave me material porositësi, ku janë rreth mbi 60 000 të punësuar.