Policia e Sarandës ka vënë në pranga një 59-vjeçar nga Kosova pasi akuzohet se ka mbajtur të mbyllur na apartament 6 shtetas italianë.

Sipas policisë, ai pretendonte se italianët i kishin dëmtuar disa pajisje në apartamentin që iu kishte dhënë me qira.

Policia reagoi dhe vuri në pranga 59-vjeçarin dhe liroi italianët.

“I dëmtuan pajisje në apartamentin e dhënë me qira dhe për këtë shkak iu hoqi lirinë 6 shtetasve italianë, për rreth 1 orë, në këtë apartament, vihet në pranga 59-vjeçari nga Kosova.

Pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 1, një shtetas iu kishte hequr lirinë, në mënyrë të kundërligjshme, disa shtetasve, në një apartament, shërbimet e Komisariatit te Policisë Sarandë kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit dhe arrestimin e autorit.

Si rezultat i veprimeve të menjëhershme të shërbimeve të Policisë, është vënë në pranga shtetasi J. A., 59 vjeç, banues në Prishtinë, si dhe është bërë lirimi i shtetasve, nga apartamenti.

59-vjeçari, për rreth 1 orë, iu ka hequr lirinë 6 shtetasve italianë, në apartamentin që iu kishte dhënë me qira, pasi pretendonte se këta shtetas i kishin dëmtuar disa pajisje në këtë apartament.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, njofton policia.