Një ngjarje shokuese ajo që ka ndodhur në Greqi ku në mes të natës, një foshnje zvarritej në rrugën e makinave duke qenë vetëm pak çaste para një vdekjeje të dhimbshme.

Ishte ora 00.30 e natës së të martës duke gdhirë e Mërkura, kur në rrugën “Oikonomou” në qytetin Elassona, një grua e re ishte duke shkuar në shtëpi.

Teksa ngiste makinën, arriti të shquajë nga larg një objekt që iu duk si çantë në mes të rrugës. Por teksa afrohej pa që objekti po lëvizte.

“Kur u afrova e ngadalësova makinën sepse pashë se diçka po lëvizte. Ishte një fëmijë që zvarritej në mes të rrugës. Në këtë moment pashë nga pasqyra se një kamion po afrohej. Dola me vrap dhe u sula ta kap. E mora në krahë dhe dola në trotuar. Telefonova policinë”, tregoi e reja që ende është e shokuar pasi pohon se ishte shumë afër pamundësisë për ta shquar dhe mund të përfundonte në fatalitet.

Para se të vinte policia, në vendngjarje erdhi e ëma e fëmijës vetëm 11 muajsh. Ajo u shfaq e trembur nga ajo që mësoi.

Kryebashkiaku i Elassona, Nikos Gatsas, tha se nëna ka një problem me alkoolizmin dhe vuri në dukje se Shërbimet Sociale do ta trajtojnë këtë çështje.