Kriza e jashtëzakonshme energjitike, po vjen drejt Shqipërisë” Ky ka qenë paralajmërimi i bërë nga kryeministri Edi Rama gjatë një konferencë të mbajtur këtë të diel.

Sipas Ramës, kriza energjitike është një fatkeqësi e re natyrore e kombinuar me faktorë gjeopolitikë e manovra tregtare, një tjetër sfidë e rëndë, por sipas të cilit, Shqipëria do ta përballojë.

Sjellim në vëmendje se prej disa ditësh, në vendin tonë është vërejtur një rritje e konsiderueshme e karburanteve.

Gjatë fjalës së tij, Rama e ka konsideruar këtë krizë të re energjitike po aq të fortë sa tërmeti e sa pandemia, në aspektin ekonomik e social.

“Dukuria e rritjes marramendëse të çmimit të gazit e të karbonit në të gjitha tregjet ndërkombëtare, si edhe trendi i fortë i rritjes së çmimit të naftës, shoqëruar me një rritje të përgjithshme çmimesh të prodhimeve të konsumit të përditshëm, qëndrojnë sot para të gjitha vendeve, si siluetat e një ushtrie armike në horizontin e dimrit të vështirë që bota ka përpara.” është shprehur Rama.

Rritja e kërkesës konsumatore, pas hapjes së ekonomisë si rezultat i vënies nën kontroll të pandemisë, ka rritur eksponencialisht edhe kërkesën e industrive prodhuese për energji. Kështu sipas Ramës, kërkesa e lartë dhe oferta e pamjaftueshme për gaz, ka detyruar qeveritë të përballen me rritje marramendëse çmimesh e të paralajmërojnë, deri edhe politika kufizimesh në furnizimin me energji elektrike.

Ritmet e larta të rimëkëmbjes nga pandemia dhe nevoja e tej rritur për energji, e kanë rritur çmimin e gazit me rreth 250%, atë të karbonit me rreth 80%, ndërkohë që çmimi i naftës ka kërcyer lart, nga rreth 60$ për fuçi në Gusht të 2021, tek rreth 80$ në momentin që flasim dhe sipas projeksioneve të sotme, çmimi mund të arrijë në $100 për fuçi deri në fund të vitit.

Kryeministri Rama ka shtuar se për Shqipërinë, çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi, është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar.

Në bursën HUPX, energjia elektrike është tregtuar me mesatarisht 39 eur/MWh vitin e shkuar, ndërsa sivjet ky çmim ka arritur shifrën e 110 eur/MWh, duke shënuar një rritje prej 182%.

Një faktor tjetër është mungesa e prodhimit të energjisë alternative, që ka ndikuar në rritjen e kërkesës dhe çmimeve të gazit dhe të qymyrit.

“E gjithë kjo panoramë e situatës energjitike, me vetëm disa prej shembujve larg e afër nesh, vlen për të krijuar një ide të përgjithshme të kësaj krize, ku duam s’duam, edhe Shqipëria si të gjitha vendet e tjera, është e përfshirë dhe e detyruar që të përballet pa u shmangur dot me këtë furtunë globale.” ka thënë Rama.

Në fund Rama ka bërë apel për durim pasi sipas tij qeveria do ja dalë të menaxhojë siç duhet edhe këtë krizë.