Zyrtarë europianë kanë konfirmuar arritjen nga 27 ambasadorët e Bashkimit Europian të dakordësië mbi deklaratën e samitit BE-Ballkanit Perëndimor, që do mbahet në 6 tetor në Slloveni. Sipas zyrtarëve europianë, deklarata përfundimtare mund të pësojë ndryshime nga liderët, por ajo përfaqëson tashmë një ekuilibër të mirë midis vullnetit për të zgjeruar Bashkimin Europian me 6 vendet e Ballkanit dhe kapacitetit të Bashkimit Europian për të pranuar anëtarë të ardhshëm. Burime të BE-së kanë nënvizuar për ABC, se fjala zgjerim është qartësisht e përfshirë në tekst, duke ju kundërvënë kështu informacionit paraprak që është publikuar në media, sipas të cilit, deklarata finale nuk përmbante fjalën zgjerim dhe nuk ofronte asnjë garanci për zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e rajonit.

Sipas burimeve të BE-së, deklarata finale bazohet ne disa boshte kryesore, që kanë të bëjnë me rezultate të prekshme dhe të dukshme. Së pari, në samit do të prezantohet plani europian për investimet dhe ekonominë në Ballkanin Perëndimor prej 30 miliard eurosh. Nga ky plan, 9 miliard do tê ofrohen në grante dhe pjesa tjetër nga mekanizmi europian i garancisë.
Në samit do preket edhe arritja e marrëveshjes midis tre institucioneve kyçe europiane (Komisioni Europian, Këshilli i ministrave dhe Parlamenti Europian i asistencës financiare për vitet 2021-2027 për vendet e Ballkanit Perëndimor. Zyrtarë europianë kanë qartësuar, se tashmë 1 miliard euro do të jetë e disponueshme që prej 2021.

Boshti tjetër është vaksinimi i qytetarëve tê Ballkanit Perëndimor. Deri tani Bashkimit Europian ka shpërndarë 2,9 milion doza vaksinash, ndërkohë që sipas zyrtarëve europianë synimi është që në rajon të arrihet i njëjti nivel vaksinimi si në Bashkimin Europian. Nga ana tjetër, zyrtarët e Bashkimit Europian janë ndalur te ndihma për pasojat ekonomike dhe sociale e pandemisë në rajon. Sipas tyre, Bashkimi Europian ofron tashmë 3,3 miliard euro për të ndihmuar vendet e rajonit të përballen me këto rrjedhoja.

Zyrtarët europianë kanë nënvizuar edhe hapa të tjerë në kuadrin e bashkëpunimit rajonal siç është arritja e uljes së tarifave të roaming midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, me synimin që roaming të arrihet më pas edhe midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian. Sipas këtyre burimeve, do të preken edhe projektet e transportit, të ndërlidhjes midis vendeve të rajonit, lufta kundër emigracionit të paligjshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jenë gjithashtu në tryezën e liderëve të Bashkimit Europian.

27 liderët europianë do të zhvillojnë samitin e tyre në 5 tetor dhe në datën 6 tetor, atyre do t’i bashkangjiten edhe liderët e rajonit. Një konferencë e shtypit finale do të mbahet në fund nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel dhe kryeministri i Sllovenisë, Janes Jansa.