Opozita publikoi sot arsyet pse sipas saj u shkarkua kryepolici Ardi Veliu i cili zyrtarisht dha dorëheqjen dhe Edi Rama vrapoi ta shkarkojë.

Për opozitën, në krye të Policisë së Shtetit sot ka një bandit më pak: “Ardi Veliu ka qenë çdo ditë në shërbim të grupeve kriminale dhe rrjeteve të caktuara të trafikut ndërkombëtar të drogës”.

PD është e sigurt se largimi i Veliut është i detyruar, pavarësisht rezistencës së gjatë të Edi Ramës.

Ish ministri i përkohshëm i Drejtësisë Gazment Bardhi, në qeverinë e Ramës më 2017, doli sot para mediave dhe në pozicionin e Sekretarit te Pergjithshem te PD renditi “arritjet” e Veliut.

“Nën drejtimin e policisë nga Ardi Veliu:

Shqipëria u rendit ndër vendet kryesore për trafikimin e drogave nga kokaina tek kanabisi.

Departamenti i Shtetit e futi Shqipërinë ne listën e vendeve kryesore për pastrimin e parave të pista.

Të drejtat dhe liritë e qytetarëve u përkeqësuan, duke kulmuar me vrasje në rrugë të të rinjve dhe me rrahje të minorenëve.

Dhuna e ushtruar ndaj opozitës ishte e paprecedentë.

Policia u përdor në zgjedhje, krah përkrah banditëve, për të blerë vota për partinë në pushtet.

Ardi Veliu nuk është as i pari, as i fundit drejtor policie që gjatë këtyre 8 viteve largohet me turp, duke i shkaktuar dëme të mëdha vendit dhe qytetarëve.

Kjo histori do të përsëritet përsa kohë shefi i ardivelinjve, Edi Rama, të jetë partneri kryesor i krimit të organizuar.

Pa largimin e Edi Ramës, nuk ka për të patur kurrë luftë serioze ndaj krimit, policët e ndershëm do të vazhdojnë të ndihen të tradhëtuar dhe të demotivuar, si dhe ngjarjet e rënda kriminale do të vijojnë të trondisin qytetet tona”, vlerëson opozita demokrate.