Prokuroria Themelore Publike e Tetovës publikoi sot raportin pas hetimeve që janë kryer për të gjetur shkakun e zjarrit në spitalin provizor të Covid, ku humbën jetën 14 persona. Në raportin e Prokurorisë, sipas mediave maqedonase thuhet se:

“Nga analizat është konfirmuar se zjarri ka shpërthyer si pasojë e qarkut të shkurtër elektrik, për shkak të presionit të madh nga defibrilatorët e kyçur, me të cilët është bërë reanimacioni i pacientëve në njërën nga dhomat e spitalit. Presioni mbi kabllon ka shkaktuar zjarr në prizën elektrike, në të cilën kanë qenë të kyçur defibrilatori, një karikues telefoni dhe një aparat tjetër.

Pas shfaqjes së flakëve, stafi mjekësor i pranishëm u përpoq ta shuante atë, por zjarri u përhap furishëm në të gjithë ndërtesën, duke u përhapur nga panelet e çatisë në zonat e ulëta të mureve të panelit dhe pajisjet e spitalit. Pasi të gjithë pacientët e shtruar ishin të lidhur me furnizimin qendror të oksigjenit, dhe kështu përqindja e oksigjenit të pranishëm në të gjithë spitalin u rrit, si dhe për shkak të dëmtimit të instalimit të oksigjenit gjatë zjarrit, zjarri u përhap në të gjithë objektin për një periudhë shumë të shkurtër.

Zjarri është përhapur me shpejtësi edhe nga fakti që në hapësirën e çatisë të ndërtesës nuk ka ndarje midis moduleve / dhomave dhe korridorit që do të ngadalësonte përhapjen e zjarrit. Kjo ekspertizë është vetëm një nga dëshmitë e ofruara deri më tani. Pritet që Prokuroria Publike Themelore e Tetovës të marrë raportet dhe të dhënat për të cilat prokuroria ka lëshuar urdhra dhe udhëzime për institucionet tjera kompetente, si dhe ekspertizën që duhet të arrijë në përputhje me ndihmën juridike ndërkombëtare të kërkuar nga ekipi i ekspertëve gjermanë. Në të njëjtën kohë, prokuroria vazhdon të veprojë intensivisht për rastin dhe ndërmerren veprime të tjera për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e PTHP-së.