BRDO – Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha “se samiti i sotëm në Slloveni është shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian si dhe vendet e rajonit, me të cilat BE ndan vlerat”.

Presidentja e KE theksoi se BE ka treguar mungesa në procesin e integrimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, teksa u shpreh se duhet të tregohet e qartë dhe të ecë përpara në këtë proces.

“Ne duam të lëshojmë një mesazh shumë të qartë – Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian, ne i duam ata në BE. Ne jemi një familje evropiane. Ne ndajmë të njëjtën histori dhe vlera dhe jam i sigurt se kemi të njëjtin fat”, tha von der Leyen.

Në fjalën e saj, von der Leyen u shpreh se BE për rajonin ka një plan shumë të madh ekonomik që shkon deri në 30 miliardë Euro.

“BE nuk është i plotësuar pa Ballkanin Perëndimor, ndaj do të vazhdojmë punën për të avancuar në procesin e zgjerimit të BE. Qëllimi ynë është zgjerimi. Plani ekonomik është shumë i rëndësishëm dhe është në qendër të angazhimit tonë në rajon. Kemi një plan të madh, me 30 miliardë euro për rajonin. Duhet një treg i përbashkët rajonal.

Ndërkohë Von der Leyen u shpreh se shpreson që Maqedonia dhe Bullgaria të mund të zgjidhin problemet e tyre që të mos bëhet më pengesë për integrimin.

“Uroj që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të zgjidhin problemin e tyre dhe të hapen negociatat me Shkupin e Tiranës”.

Ky ishte mesazhi kryesores i Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen nga Sllovenia në samitin që Bashkimi Evropian po zhvillon me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Dita e dytë e punës së samitit joformal të udhëheqësve të BE -së dhe partnerëve të tyre në Ballkanin Perëndimor filloi të mërkurën në mëngjes në kështjellën e Brdos, jo shumë larg kryeqytetit slloven Ljubljana. Në samitin, të mbajtur nën presidencën rrotulluese sllovene të Bashkimit, me krerët e shteteve dhe qeverive të 27 vendeve. Në fund të sesionit, është planifikuar një konferencë për shtyp me Presidentin e Këshillit të BE Charles Michel, Presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen dhe Kryeministrin Slloven Janez Jansa.