Një ngjarje e pazakontë ndodhi ditët e fundit në aksin rrugor Lezhë-Mamurras, tek “Mbikalimi i Patokut”, ku një grup të rinjsh organizuan gara me makina sportive, duke penguar qarkullimin rrugor dhe prishur rendin dhe qetësinë publike.

Policia ka arritur të identifikojë njërin prej organizatorëve të kësaj gare, dhe njëherësh pronarin e një prej mjeteve, Ervis Kosova, i cili e kishte dërguar makinën në një servis për ta çmontuar.

Policia i ka vendosur Kosovës dhe një gjobë prej 150 mijë lekësh të rinj.

“Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqeshin drejtues mjetesh që kishin ndaluar mjetet e tyre, me qëllim për të realizuar gara sportive, në aksin rrugor Lezhë-Mamurras, tek “Mbikalimi i Patokut”, duke penguar lëvizjen e lirë të mjeteve të tjera, duke prishur rendin e qetësinë publike dhe duke organizuar grumbullime të njerëzve, shërbimet e Policisë Rrugore Lezhë, falë veprime të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin e njërit prej drejtuesve të mjeteve.

Në vijim të veprimeve hetimore, filloi procedimi penal për shtetasin E. K., 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime” dhe ” “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”.

Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë i është vendosur masa administrative 150.000 lekë”, njofton zyrtarisht policia e Lezhës.