Kreu i PR-së, Fatmir Mediu doli pasditen e sotme në një konferencë për mediat pas rihapjes së dosjes “Gërdeci”. Ish-ministri i Mbrojtjes në kohën që ndodhi shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve u shpreh se nuk është shkaktar i pasojave dhe se është hetuar dhe gjykuar njëherë për këtë çështje.

Nuk ka asnjë nxitje, asnjë shtysë apo presion nga ministri për këtë proces. Të gjitha aktet kanë qenë pjesë e konsultimit të plotë. Nuk është prezantuar pranë ministrit asnjë shqetësim si zhvillohej demontimi. Kam dhënë dorëheqjen dy ditë pas ngjarjes duke e parë veten si përgjegjës moral dhe politik, por aspak i fajshëm si shkaktar i pasojave.

Nuk i jam shmangur hetimit. Jam vendosur në dispozicion pa asnjë rezervë. Prokuroria e kohës bëri një hetim për mua dhe familjen tim si për asnjë politikan tjetër. Ajo që kërkon SPAK janë cështje të shqyrtuara në vitin 2014 dhe 2018 dhe dy rastet prokuroritë kanë refuzuar rihapjen e kësaj çështje” deklaroi ai.

Nuk mendoj se do të kthehemi në kohën e drejtësisë popullore dhe cdo procedurë që niset me indicie paligjshmërie nuk prodhon asnjëherë drejtësi. Ju mendoni se Fatmir Mediu duhet të rrijë gjatë gjithë kohës i proceduar. Kam qenë katër herë në Gjykatën e Lartë dhe në Apel ka marrë formën e prerë” tha më tej ai.

Mediu akuzoi se çështja kundër tij po përdoret politikisht. “Kush është nga mbrapa apo përpara? Kjo histori ka para, mbrapa nën dhe mbi dhe interesa nga më të ndryshimet. Fakti që është shtruar vetëm në fushata elektorale tregon se ka interes politik, ka qëllime që nuk vijnë thjesht me ligjin” deklaroi ai.

Avokati i tij Saimir Visha, pasi sulmoi SPAK-un dhe gjyqtaren që vendosi të pranonte rihapjen e dosjes u shpreh se “Do të përpiqemi të presim këtë “penallti” të paligjshme të prokurorisë”.

Gjykata e Posaçme vendosi që të rihapë çështjen “Gërdeci”, duke nisur rigjykim për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, për shpërthimin në mars të 2008 ku humbën jetën 26 persona.

SPAK iu drejtua në muajt e parë të vitit Gjykatës së Lartë me kërkesën për revokimin e vendimit të 2009 që pushoi çështjen ndaj Mediut me arsyetimin se nuk mund të gjykohet pasi ishte me imunitet