Trajneri Edy Reja nuk pranoi të ngrinte “flamurin e bardhë” në konferencën për shtyp, para ndeshjes së nesërme kundër Anglisë. Nuk pranoi dorëzimin as për 90-minutëshin ndaj “Tre Luanëve”, por as për vendin e dytë në grup. Optimizëm taktik, ndoshta, për të mbajtur në tonus kuqezinjtë, sepse realisht shanset për sukses në të dyja drejtimet janë të vogla.

Megjithatë, mrekullitë ndodhin në jetë, edhe në futboll, pikërisht këtë kujton edhe veterani i stolit të kombëtares sonë: “Kemi ardhur të bëjmë një ndeshje të mirë. E dimë që do të jetë e vështirë. Anglia ka shumë kualitet, ndaj duhet të bëjmë ndeshjen perfekte. Natyrisht, do të provojmë të marrim një rezultat të mirë.

Uroj shumë që fati të jetë në anën tonë nesër. Italia fitoi Europianin këtu dhe hapi rrugën për më shumë suksese. Uroj të jetë një shans i mirë edhe për ne. Kam menduar se Anglia ishte favorite, por më duhet ta them që Italia e meritoi trofeun.

E përsëris, ne i dimë vlerat e Anglisë. Duhet të kemi ekuilibër mes reparteve, kemi punuar shumë në këtë aspekt. Shqipëria nuk do të presë gjithë kohën, duhet të krijojmë dhe do të provojmë. Po të mos humbnim me Poloninë do të ishim në kushte të tjera, do të kishim më shumë shanse.

Anglia është favorite, por duhet personalitet nga ana jonë. Do të luajmë pa frikë, fusha është njëlloj për të gjithë. Duhet të bëjmë ndeshjen perfekte, të mos gabojmë si më parë. Duhet të jemi perfektë të gjithë, titullarët dhe ata që do të futen si zëvendësues.

Formacioni? Nuk mund ta them sot se kush do të luajë, do t’ua komunikoj lojtarëve para ndeshjes. Dyshime ka gjithmonë në lidhje me formacionin. E sigurt është që do të jetë formacioni më i mirë në fushë. Do të jetë e vështirë të bëj zgjedhjet e mia.

Brojën do ta shohim dhe do ta vlerësojmë. Është bashkuar me ekipin në hotel, ka pasur probleme me kaviljen. Nuk do të jetë titullar, shpresojmë të jetë në gjendje të luajë disa minuta kundër Anglisë.

Nuk u stërvitëm në ‘Wembley’ sepse ishte larg. Sa i takon kapitenit, nuk do të jetë Cikalleshi. Mendova ta ndryshoja këtë herë dhe të nxirrja një lojtarë tjetër në konferencë.

‘Wembley’ është tempulli i futbollit. Jam mik me Capellon dhe më ka thënë se çfarë përfaqëson ky stadium. Mancini fitoi Europianin aty, Capello ka shënuar. Shpresojmë, që siç thonë, nuk ka dy pa tre dhe t’ia dal edhe unë si italian. Mrekullitë ndodhin në futboll”.