240709-sport-calcio-al centro Rezart Tai nuovo proprietario della squadra del Bologna oggi all'uscita dal ristorante Diana-foto Nucci/Benvenuti

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka shpallur në kërkim biznesmenin e njohur të hidrokarbureve Rezart Taçi. Dy bashkëpunëtorë të tij Artur Balla dhe Bledar Lilo janë arrestuar në orët e para të ditës së sotme, ndërsa biznesmeni ende nuk është gjetur nga policia. Së bashku me katër italianë, biznesmeni shqiptar dhe dy bashkëpunëtorët e tij akuzohen për pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal. SPAK ka bllokuar mbi 18 milionë euro.

Si funksiononte skema?

SPAK deklaron se nga hetimet e nisura këtë vit në bashkëpunim me autoritetet italiane kanë zbuluar organizimin dhe funksionimin e një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.

Skema financiare është drejtuar nga dy italianët Francesco Zummo dhe I.Z., në bashkëpunim me një tjetër italian Fabio Petruzzella të zviceranit me origjinë italiane Daniele Castagalli si dhe të biznesmenit shqiptar Rezart Taçi i përfshirë në biznese në sektorin e naftës. SPAK thotë se Taçi në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie ka angazhuar dy bashkëpunëtorët e tij shqiptarë, Artur Balla dhe Bledar Lilo.

Po cili ishte qëllimi?

Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shqiptarëve të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht sipas SPAK-ut dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht.

Po sipas SPAK-ut gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.