Dy persona janë vrarë në një atentat brenda në makinë në zonën e Astirit në Tiranë. Bëhet fjalë për dy persona që ishin duke udhëtuar me një mjet audi, në momentin që në drejtim të tyre është qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Burime bëjnë me dije për noa.al se trupat e tyre ndodhen ende brenda në mjet, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Burimet konfirmojnë se viktimat janë qëlluar me kallashnikov nga një mjet në lëvizje.

“Rreth orës 19:30, në vendin e quajtur “2 rrathët” në Unazë të Re, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjeti tip “Audi”. Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ishin brenda në mjet.

Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe po kontrollojnë  zonën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë punon për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes dhe grumbullimin e çdo prove që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njofton Policia e Tiranës.