Ditën e sotme janë vendosur në regjimin strikt 41 bis tre personazhe të njohur të botës së krimit. Ata janë Aleksandër Llanaj, Fatmir Pjetri dhe Redjan Rraja. Mësohet se të dënuarit do të qëndrojnë në regjimin e posaçëm për një periudhë 1 vjeçare.

Thelbi i regjimit “41-bis” është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz jashtë.

Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal ‘Babagjyshët’ të cilët gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete. Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku të maskuar si babagjyshë pjesëtarët e grupit kriminal realizuan grabitjet. Fatmir Pjetri pas arrestimit në Holandë në 24 nëntor të 2017 u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin. Ai u rikthye në vëmendje pas tentativës së bujshme për arratisje nga 313-ta së bashku me Arbër Cekaj.

Aleksandër Llanaj është shpallur fajtor për vrasjen e tre të rinjve në prill të viti 2015 në Vlorë e dhe është dënuar me burgim të përjetshëm e më pas me 35 vite burgim nga të tre shkallët e gjyqësorit në Shqipëri. Një zënkë mes të disa të rinjve pas një feste ditëlindjeve përfundoi me atë që konsiderohet “masakra e Çoles”, me tre të vdekur e tre të dënuar me burgime të gjata, njëri me të përjetshëm dhe dy të tjerë me nga 35 vjet. Në 7 Prill 2015, pas një konflikti të armatosur, mbeten të vdekur Haki Rakipi, Alfred Velaj dhe Albi Limaj. Policia arrestoi si autorë të masakrës Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj. Në Tetor 2017, tre anëtarë të familjes Llanaj plagosen në zonën e Transballkanikes, pranë qendrës së Vlorës. Shënjestra ishte Ferdinand Llanaj, vëllai i të dënuarit përjetë asokohe, Aleksandër Llanaj. Bashkë me Ferdinandin, në këtë atentat plagoset edhe djali i tij 8-vjeçar, si edhe miku i familjes, Dritan Begaj. Familja e Aleksandër Llanajt prej vitit 1998 ka një histori konfliktesh dhe hakmarrjeje që nisin nga një zinxhir vrasjes në Selenicë.

Ndërkohë, Redjan Rraja është në gjykim nga GJKKO lidhur me atentatin në vitin 2019 ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ku akuzohet për vrasje, armëmbajtje pa leje, grup kriminal,.vjedhje dhe kryerja e veprave penale si grup kriminal.