Rikthimi në shkollë i një mësuesi i dënuar për pedofili ka alarmuar Beratin.

Në foto është Ëngjëll Bregu, i cili u kthye edhe një herë në qendër të vëmendjes 18 vite pas aktit të tij të turpshëm “ngacmim seksual e pedofili”.

Në Berat u raportua rasti skandaloz i rikthimit të tij si mësues në shkollat 9-vjeçare të qytetit. Ishin prindërit e fëmijëve që të shqetësuar denoncuan rastin e rikthimit të tij si mësues Fizike në shkollën “22 Nëntori”.

Vetë nxënësit e shkollës tregojnë se kanë frikë prej tij gjatë zhvillimit të orëve të mësimit.

Në vitin 2003, kanë qenë disa nxënëse të shkollës 9-vjeçare “Uznovë” në Berat, që e kanë denoncuar mësuesin e tyre kujdestar Ëngjëll Bregu se gjatë një ekskursioni në Bogovë ai i kishte prekur në pjesët intime të trupit.

Mësuesi u arrestua dhe u dënua për “pedofili” dhe “ngacmim seksual” nga Gjykata e Beratit me 7-muaj burg, por gjykata nuk ia hoqi asokohe të drejtën e rikthimit në detyrë edhe pse u kërkua nga prokuroria.

Reagimi i ministres Evis Kushi

Për këtë reagoi edhe vetë ministrja Evis Kushi, e cila raportoi se 62-vjeçari Ëngjëll Bregu është shkarkuar menjëherë nga detyra dhe ka nisur hetim për personat që e kanë punësuar, me ose pa dijeni.

“Dënoj fort rastin e punësimit me kontratë të një mësuesi në Berat, që në vitin 2013 është dënuar nga gjykata për pedofili. Pavarësisht se gjykata nuk ia hoqi të drejtën e rikthimit në detyrë dhe të ushtrimit të profesionit, edhe pse prokuroria e kërkoi një gjë tillë, është e pafalshme që persona të tillë të hyjnë qoftë edhe për një orë të vetme në mjediset e shkollave tona.

Ky person është larguar menjëherë nga detyra dhe ndërkohë kemi nisur një hetim administrativ për të gjetur personin apo personat përgjegjës, që me neglizhencë apo paaftësi, nuk kanë marrë informacionin e duhur dhe kanë lejuar punësimin e tij. Për ta do të merret menjëherë masë ndëshkuese.

Për ne mbrojtja e nxënësve është e shenjtë dhe nuk tolerojmë askënd që cënon mirëqenien e tyre. Ndërkohë, ne në MAS do të rishikojmë menjëherë bazën ligjore dhe nënligjore, për të forcuar rregullat dhe procedurat e punësimit apo shkarkimit të mësuesve, për të mos lejuar që të ndodhin më raste që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët tanë.

Ju lutem të gjithëve, prindër, nxënës, mësues, apo përfaqësues të komuniteteve, denonconi cdo rast që cënon, apo dyshoni se rrezikon, të drejtat dhe sigurinë e fëmijëve në shkollë apo jashtë saj”, shkruan ministrja