Dita Botërore e Sensibilizimit kundër HIV/AIDS organizohet çdo vit më 1 dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie. Në Shqipëri që prej vitit 1993 janë rreth 1500 raste në total, nga të cilat  71% e të prekurve  janë meshkuj dhe 29 % femra.

Kjo ditë është një mundësi për të shpërndarë informacion lidhur me situatën e kësaj pandemie dhe për të inkurajuar përparimin në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin për HIV/AIDS në të gjithë botën, veçanërisht në vendet me prevalencë të lartë.

Dita Botërore e HIV/AIDS-it organizohet nën sloganin

Drejt zeros: Zero infeksione të reja nga virusi HIV, Zero diskriminim për personat me HIV/AIDS, Zero vdekje nga AIDS”

Faktet kryesore për HIV/AIDS

  • HIV vazhdon të jetë një çështje madhore globale e shëndetit publik që ka marrë më shumë se 34 milionë jetë deri tani. Vetëm në vitin 2014, rreth 1.2 milionë njerëz kanë vdekur globalisht nga shkaqe të lidhura me HIV-in.
  • Në nivel global, deri në fund të vitit 2014, numri i personave që jetojnë me HIV ishte rreth 36.9 milionë, me 2 milionë raste të reja vetëm në vitin 2014.
  • Infeksioni HIV diagnostikohet nëpërmjet testeve të shpejta diagnostike, që zbulojnë praninë ose mungesën e antitrupave të HIV-it. Këto teste japin rezultate të shpejta; esenciale për diagnozën dhe trajtimin e hershëm.
  • Nuk ka shërim për infeksionin HIV. Megjithatë, trajtimi efektiv me medikamente antiretrovirale (ARV) mund të kontrollojë virusin në mënyrë që personat me HIV të gëzojnë jetë të shëndetshme dhe produktive.
  • Është vlerësuar se, aktualisht vetëm 51% e personave me HIV dinë statusin e tyre të infektimit me HIV, pra nëse ata janë të infektuar apo jo.
  • Në vitin 2014, 14.9 milionë njerëz që jetojnë me HIV, të cilët përfaqësojnë 40% të personave që jetojnë me HIV, morën terapi antiretrovirale në nivel global.