Elona Kalesha, 37-vjeçarja shqiptare e akuzuar për vrasjen e çiftit Shpëtim dhe Teuta Pasho, do të gjykohet nga Gjykata e Firences për vrasje të dyfishtë me dashje, fshehje dhe përçmim të kufomave.

Bashkëshortët u zhdukën në tetor 2015 dhe trupat e tyre, të copëtuar, u gjetën në dhjetor 2020 në valixhe të braktisura. Seanca e parë do të mbahet më 15 shkurt 2022, ndërkohë që Kalesha tashmë mbahet nën masën e arrestit, shkruan noa.al. Ajo nuk e ka pranuar asnjëherë krimin e kryer.

Zhdukja e bashkëshortëve Pasho, që mbërritën në Itali për të takuar djalin e tyre Taulantin , i cili do të dilte nga burgu i Firences mëngjesin e 2 nëntorit 2015, u denoncua nga vajza e çiftit, Vitore, tek karabinierët e Castelfiorentino, ku banon dhe ku u varrosën prindërit e saj.

Sipas hetuesve, vrasja e dyfishtë ka ndodhur me shumë mundësi një natë përpara se Taulanti të dilye nga burgu, në banesën në Firence, të cilën Elona e kishte marrë me qira për prindërit e të dashurit të saj.

Sipas akuzës, 37-vjeçarja dyshohet se ka vrarë çiftin për t’i penguar ata të zbulojnë se ajo kishte abortuar për një fëmijë të ngjizur kur i dashuri i saj ishte tashmë në burg.