Prej disa ditësh po vazhdon në vend testimi i efektivëve të policisë për përdorim të lëndëve narkotike. Gazetari i ABC në Shkodër Simon Shkreli raporton se 80 oficerë policie kanë bërë testin anti-drogë Burimet tregojnë se 12 prej tyre kanë rezultuar konsumues.

Por ata e kanë kundërshtuar rezultatin duke theksuar se do ngrenë padi ndaj laboratorit. Mosha mesatare e 12 efektivëve është 50 vjeç. Ata janë të nivelit inspektorë.

Ndërkohë në Vlorë kanë rezultuar përdorues droge 6 efektivë policie ndërsa dyshimet janë edhe për tre të tjerë. Ky është rezultati për 15 efektivë policie të testuar. Nuk dihet ende se cilit sektor i përkasin ata.

Sipas gazetarit Eton Nikaj shumica e tyre kanë ngritur pretendime duke kundërshtuar rezultatin e testit, ndërsa tani pritet nëse do të ketë një test të dytë apo verifikim të këtij testi për verifikuar rezultatin. Efektivët thonë se kanë dalë pozitivë për shkak të medikamenteve të ndryshme të përdorin.

Në Elbasan deri më tani janë 55 punonjës policie që kanë kryer testin. Ndër to në drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Elbasanit kanë mbërritur 27-28 përgjigje prej të cilave 2 kanë rezultuar pozitive. Është fjala për dy efektive vajza, rast i raportuar një ditë më parë nga Abcnews.al.

Gazetari Aldo Kozarja bën me dije se ato e kanë konfirmuar rezultatin e testin në heshtje dhe sapo kanë marrë vesh përgjigjen janë larguar. Më pas ndaj tyre është marrë edhe maza e pezullimit nga detyra.

Në radhët e efektivëve të policisë ka aludime për pozitivitetin e testit duke qenë se mes të testuarve ka policë të moshës mbi 50-vjeç që thonë se nuk janë përdorues narkotikësh.

Ata që kanë kundërshtime mund të ritestohen pas miratimit nga ana e drejtuesve të policisë të cilët do duhet të miratojnë një listë e cila më pas do të çohet pranë filialeve të kompanisë private e cila është e certifikuar për kryerjen e testit të drogës.