Dyshohet se aplikoi me dokumenta fallco e fitoi tenderin 2 milion euro, arrestohet biznesmeni shqiptar.

Siç njoftohet nga prokuroria, i arrestuari është I.H pronar i kompanisë “Globi M.I”.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit nga Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të dyshuarin me inicialet, I.H., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurorim publik”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria njofton opinionin publik se ekziston dyshimi që, i dyshuari I.H., si pronar i kompanisë “Globi M.I.”, në Gjilan, përmes prezantimit të dokumenteve të falsifikuara ka arritur që ti fitonte tre tenderë në regjionin e Gjilanit, në vlerë rreth 1 milion e 900 mijë euro”, thuhet në njoftimin e policise.

Theksohet se me këto veprime i siperpermenduri dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurorim publik”, të Kodit Penal, për të cilën gjendet nën masën e ndalimit. Ndaj të njëjtit Prokuroria Themelore në Gjilan, do të vazhdojë me procedurat e mëtejme hetimore.