Pasi arriti një marrëveshje në parim me Brentford, Christian Eriksen filloi ekzaminimet mjekësore për të verifikuar aftësitë sportive, pas arrestit kardiak të pësuar në ndeshjen hapëse të kombëtares së tij në “Euro 2020”, verën e kaluar, më 12 qershor. Detajet përfundimtare mbeten ende për t’u përcaktuar, zyrtarizimi pritet të mërkurën.

Vëmendja do të përqendrohet në analizat kardiologjike të mesfushorit danez, që braktisi Interin për shkak se në Itali nuk lejohej të luante me defibrilator kardiak nënlëkuror. Sikurse dihet, Eriksenit iu implantua një stimulues i tillë kardiak (ICD) në trup, çka e detyroi atë të ndërpresë kontratën e tij me Interin.

Federata Italiane e Futbollit nuk ofron të drejtën e futbollit për lojtarët në kushte të ngjashme shëndetësore. Nga ana tjetër, Premier League jo vetëm që nuk kundërshtoi, por as kërkoi që lojtari të kontrollohej nga një staf i specializuar mjekësor, duke u mjaftuar me vlerësimin dhe konstatimin e kardiologut të zgjedhur nga Brentford.

Pas përfundimit të kontratës me Interin, Eriksen u rikthye në stërvitje me Chiasso të Zvicrës. Nuk ka asnjë ndalim në Angli për këtë patologji, vetë Eriksen do të jetë futbollisti i parë në historinë e Premier League që do të luajë me defibrilator.

Në një intervistë të fundit, Eriksen deklaroi se zemra nuk përbën “pengesë” për rikthimin e tij në fushë, duke shpresuar që të luajë sa më shpejt dhe të jetë në Botërorin e Katarit, këtë fundviti me Danimarkën e tij.