Partia Demokratike, ka reaguar për një lajm të publikuar në media për një takim mes Lulzim Bashës, Erion Veliajt dhe Taulant Ballës.  Demokratët e kanë hedhur poshtë këtë lajm, teksa shprehen se është një tjetër shpifje e ish-kryeministrit Sali Berisha përmes mediave.

PD sqaron se kryedemokrati Lulzim Basha, ishte për ngushëllim në familjen e Irfan Hysenbelliut, për shkak të ndarjes nga jeta të nënës së tij.

Postimi i PD-së

Shpifjet e Sali Berishës vazhdojnë edhe sot, me lajme të sajuara turpshëm dhe që synojnë të fshehin të vërtetën që sot e di çdo demokrat, që Sali Berisha po tenton të dëmtojë PD për interesin e tij personal.

Kryetari i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, nuk kanë qenë në asnjë takim apo darkë në hotel por kanë qenë atje për ngushëllim në familjen Hysenbelliu, për shkak të ndarjes nga jeta të kryefamiljares së tyre të shtrenjtë.

Degradimi i një media personale për hallin personal të Sali Berishës shfaq edhe njëherë përpara çdo demokrati dhe qytetari shqiptar, se vendimi i Partisë Demokratike për të zgjedhur të ardhmen dhe për të lënë pas të shkuarën, është interes madhor i demokratëve dhe Shqipërisë.