Presidenti Joe Biden dhe Vladimir Putin do të zhvillojnë një bisedë telefonike të enjten, ndërsa që udhëheqësi rus ka rritur kërkesat për garancitë e sigurisë në Evropën Lindore.

Të dy udhëheqësit do të diskutojnë mbi “një sërë temash, përfshirë angazhimet e ardhshme diplomatike,” tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Emily Horne në një deklaratë ku njoftoi për telefonatën.

Bisedimet vijnë mes shqetësimeve të Shteteve të Bashkara dhe aleatëve të tyre perëndimorë për grumbullimin e trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën, që kanë arritur në rreth 100,000 dhe kanë shkaktuar frikë se Moska po përgatitet të ndërhyjë në Ukrainë.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken bisedoi të mërkurën me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se zoti Blinken “përsëriti mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë shkallëzimit ushtarak të Rusisë në kufijtë e Ukrainës.”

Zoti Price tha se të dy diskutuan përpjekjet për zgjidhjen paqësore të konfliktit në Ukrainën lindore dhe angazhimet e ardhshme diplomatike me Rusinë.

Zoti Putin tha në fillim të kësaj jave se do të shqyrtonte një sërë opsionesh nëse Perëndimi nuk arrin të përmbushë kërkesën e tij për garanci sigurie që përjashtojnë zgjerimin e NATO-s në Ukrainë.

Në fillim të këtij muaji, Moska paraqiti projekt-dokumente sigurie ku kërkon që NATO-ja t’i mohojë anëtarësimin Ukrainës dhe vendeve të tjera ish-sovjetike dhe të anulojë dislokimet e saj ushtarake në Evropën Qendrore dhe Lindore.