Kryeministri Edi Rama ndodhej sot në Fushë-Krujë ku dorëzoi çelësat e shtëpive të reja tek banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ashtu siç është bërë “traditë” tashmë qëkur ka nisur ndarja e banesave të reja në zonat e prekura më rëndë nga tërmeti i dy viteve më parë, kreu i qeverisë nuk i kurseu “batutat me brava” duke ironizuar situatën aktuale në Partinë Demokratike.

Ndërsa theksonte se qeveria nuk bën dallime mes të majtëve dhe të djathtëve, Rama tha se kreu i PD në një fshat afër Surrelit ka marrë katër shtëpi pasi para tërmetit jetonin katër kurora në një banesë.

“Janë bërë me katër shtëpi tani, katër kurora u ndanë….dhe ai tani është në hall pasi ka katër brava..”

Kryeministri theksoi edhe një herë se shtëpitë janë ndarë me shorte publike dhe jo në “bazë të lekut apo mikut”.

“Edhe katet janë ndarë me short, në një vend kanë pasur fat më të mirë demokratët, në një vend socialistët….ta dinim punën e kësaj që u ndodhi do i kishim lënë në kat të parë. Megjithëse ata të futen nga penxherja.”

Për kreun e PS, ata që ai i cilësoi si “demokratë të ngatërruar” duke dashur që të lërë jashtë demokratët e thjeshtë, “nuk vlejnë gjë tjetër veçse për të bërë për të qeshur.”

E ndërsa premtoi se “plagët e tërmetit nuk do të lihen pa u mbyllur të gjitha” Rama theksoi edhe një herë se qeveria do të angazhohet në një plan kombëtar strehimi për familjet në nevojë edhe për çiftet e reja.