Vjedhin valixhen me para dhe flori të kushërirës, çifti shpallet në kërkim.

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim L. D., 36 vjeç banues në Tiranë, dhe Q. H., 26 vjeçe, banuese në Peshkopi, Dibër.

36-vjeçari, pasi ka marrë informacion se kushërira e tij, shtetasja K. Gj., do të udhëtonte nga Peshkopia në drejtim të Tiranës, me një valixhe me para, në bashkëpunim me të dashurën e tij, shtetasen Q. H., ka organizuar vjedhjen e valixhes.

Shtetasja Q. H. është paraqitur si udhëtare në linjën e furgonit me të cilin do të udhëtonte shtetasja K. Gj. dhe pasi ka udhëtuar disa orë, ka zbritur në Tiranë, duke marrë edhe valixhen, me pretendimin se ishte e saj.

Por pas denoncimit, policia është vënë në veprim dhe ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale valixhen me 1.400.000 lekë të rinj, 2770 euro, 340 paund dhe disa bizhuteri floriri.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të metejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.