Sot ishte një ditë e veçantë edhe për Policinë e Shtetit.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar në lidhje me ndërhyrjen e policisë për të shpërndarë protestuesit nga selia e Partisë Demokratike, me kërkesë të Lulzim Bashës dhe deputetëve të tjerë që ndodheshin brenda saj, me pretendimin se iu rrezikohej jeta.

Çuçi ka përgëzuar punonjësit e policisë së shtetit që sipas tij patën një sjellje profesionale dhe dinjitoze.

Postimi i Çuçit:

Policia e Shtetit tregoi edhe njëherë sot një sjellje profesionale në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Dëshmoi gjithashtu se është një trupë e depolitizuar dhe tërësisht e angazhuar për të siguruar jetën dhe pronën e qytetarëve.

Protestat paqësore janë themelore në demokraci, por aktet e dhunës dhe tentativat për të cënuar rendin publik nuk do të tolerohen. Policia e Shtetit është e vendosur për të vijuar punën dhe misionin që i ngarkon ligji. Përgëzime Policia e Shtetit