Rritet numri i të shoqëruarve në komisariatet e policive pas protestës së sotme.

Burime për Noa.al bëjnë me dije se janë mbi 50 persona të shoqëruar nga policia e Tiranës deri më tani. Janë shoqëruar edhe 8 persona që ndodheshin brenda selisë së Partisë Demokratike. Të ndaluarit janë dërguar në komisariate dhe në drejtorinë vendore të policisë në kryeqytet. Shumica e të shoqëruarve janë kapur në flagrancë dhe akuzohen për shkatërrim prone, kundërshtim të forcave të policisë dhe bllokim të qarkullimit rrugor.

Policia e Shtetit bëri të ditur se “do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, si dhe do të kryhet me rigorozitet e paanësi të plotë ligjore, çdo veprim procedural i nevojshëm, me qëllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë në akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë”.