Policia ka ndaluar dhe arrestuar tetë persona pas zbulimit të një “shtëpie bari” në Bërdicë të Shkodrës, ndërsa janë proceduar penalisht pesë punonjës të OSHEE-së me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Njëri prej tyre, Ramir Haderi, Kordinatori i Shperndarjes pranë OSHEE-së ka hedhur akuza ndaj policisë duke theksuar se i ka njoftuar organet e rendit për çdo parregullsi që ka konstatuar në terren, por ata nuk kanë shkuar të bëjnë kontrolle atje.

Jam shumë i indinjuar pasi nga mediat marr vesh se jam në ndjekje penale nga policia, për një shtëpi bari që është kapur në Bërdicë. Ndërkohë unë i kam vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin e grupit të zonës që unë drejtoj nuk e kuptoj këtë urdhër që vjen për arrestim punonjësit e OSHEE-s dhe nuk ka asnjë polic të ndaluar. Çfarë përgjegjësie kam unë apo punonjësit e tjerë për ndërtimin e shtëpive të tilla?

Në zonën që unë punoj kam 26 mijë banorë. I bëj thirrje prokurorisë , ministrit që të hetohet rasti dhe të arrestohen ato që kanë lidhje dhe s’ka asnjë lidhje që mua të më dërgojnë mua në ndjekje penale kur unë nuk kam punë në terren”, tha ai.

Të arrestuar sot janë Tafil Brahimi, 27 vjeç, Izmir Sakicaj, 20 vjeç, Endrit Mehaj, 38 vjeç, ndërsa janë shpallur në kërkim pronari i baneses, Arben Haxhia, si dhe Ergys Nikshiqi, bashkëpuntor i tij.

Punonjësit e OSHEE-së të ndaluar dhe proceduar penalisht janë Pavlin Çarri, 58 vjeç, shef teknik, Agron Hoxha, 61 vjeç, elektricist, Hektor Lami, 45 vjeç, elektricist, Bledar Ahmeti, 43 vjeç, lexues i OSHEE-së dhe Ramir Haderi 35 vjeç, koordinatori i zonës së shpërndarjes pranë OSHEE.