Nga Dritan Hila

Ngajrja e 21 Janarit e implikon Lulzim Bashën si një pjesëmarrës direkt në vrasjet e 21 janarit 2011. Ai ishte ministër i Brendshëm, shef politik i policisë dhe epror direkt i gardës. Në një shtet normal ai do të ishte i akuzuari i parë politik i vrasjeve dhe kariera e tij do kishte marrë fund. Mirëpo ne e dimë që Lulzim Basha vetëm formalisht ka qenë i tillë, pasi ai kishte pak autoritet mbi zinxhirin operativ të ministrisë. Ne e dimë se Ndrea Prendi ishte i emëruar direkt i Berishës dhe zbatues i urdhërve të tij. Agron Koliqi ishte drejtuesi defacto i policisë që i merrte urdhërat direkt nga Berisha dhe këtë na e dëshmojnë edhe thëniet e ish-drejtorit të përgjithshëm të policisë Hysni Burgaj në Wikileaks. Ashtu sikurse e kemi të qartë që Basha nuk ka stofën e një vrasësi pasi po të ishte i tillë do ia kishte bërë Berishës këtu e 8 vite përpara këtë që i bëri sot. Dhe sikurse flitet, Basha i paraqiti dorëheqjen Berishës menjëherë pas ngjarjeve, dorëheqje që nuk u pranua. Është vështirë që mos besohet se Basha ishte delfin i Berishës i planifikuar të merrte trashëgiminë e tij në PD. Berisha e çoi te Ministria e Transporteve që të mësonte administrimin e ekonomisë, tek e Jashtmja që të njihej në botë, te e Brendshmja që të mësonte represionin dhe katakombet e vendit, dhe në fund në bashki që të njihte pushtetin lokal. Në secilën prej tyre u kujdes që ta përlyente me Rrugën e Kombit, pastaj me marrëveshjen e detit dhe në fund me vrasjet e 21 janarit. Me llogjikën e Berishës, Basha ishte i kapur. Por ja që ndërkombëtarët ja falën të gjitha Bashës, mjaft që vrau Berishën. Ashtu sikurse Berishës ia falën 25 vjet militantizëm komunist, mjaft që vrau Ramiz Alinë. Por megjithatë Basha nuk mund të denoncojë në publik krimet e Berishës. Nuk mundet pasi një akt i tillë do kërkonte edhe dorëheqjen e tij, sikurse morali do ta kërkonte. Mirëpo, politika nuk ka moral. Ajo ka vetëm harresë dhe Bashës ja kanë harruar pjesëmarrjen në gjithë zezonat e Berishës, mjaft që e vrau atë. Ndaj mos i kërkoni Bashës të dëshmojë për 21 janarin. Të paktën për momentin.