Bankat kanë ofruar më tepër kredi për bizneset dhe qytetarët në 3 muajt e fundit të viti 2021 që prej periudhës së pandemisë. Nga një vrojtim i Bankës së Shqipërisë konstatohet se kjo tendencë ka ardhur si pasojë e pritshmërive më të mira ekonomike.

Standarde të lehtësuara kreditimi u raportuan si për biznesin vogël dhe të mesëm, ashtu edhe për biznesin e madh. Standardet u lehtësuan në kreditë e lëvruara me qëllim mbulimin e nevojave për likuiditet, ndërkohë që në ato për financimin e investimeve standardet mbetën të pandryshuara.

Po ashtu bizneset,kryesisht ato të mëdha, kanë shtuar dukshëm kërkesën për kredi që u ndikua  nga  nevojat  më  të  larta  për  kapitalin  qarkullues,  financimin  e investimeve, ristrukturimin  e  kompanive,  si dhe  rifinancimin  e  borxheve  ekzistuese.

Të favorizuar kanë qenë edhe qytetarët që kanë dashur të blejnë një banesë. Standardet  u  lehtësuan  në  kreditë  për  blerje  banesash,  ndërkohë  që u  shtrënguan  për kreditë konsumatore.

Banka e Shqipërisë konstaton se kërkesa e individëve për kredi ishte më e lartë në tremujorin e fundit të vitit e  nxitur kryesisht nga kreditë për blerjen e banesave.

Optimiste janë pritshmëritë edhe për tremujorin e parë të vitit 2022.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë deri në fund të muajit nëntor total i kredisë për ekonominë arriti në 658.5 miliardë lekë, në rritje vjetore me 10.5%.