Se korrupsioni nuk është nocion fiktiv dhe anonim, porse është koncept real dhe e ka emrin BDI, kësaj radhe është kujdesur Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Drejtoria e Mjedisit Jetësor, të drejtuara nga kuadro të BDI-së.
Kështu, pas shpalljes së rezultateve të projekteve të kësaj ministrie nga Programi për investim në mjedisin jetësor për vitin 2021, duket qartë se BDI-ja është kujdesur mirë që ato projekte t’i fitojnë vetëm funksionarët dhe aktivistët e saj, në këtë rast Hisen Xhemaili, drejtor i Drejtorisë së Mjedisit Jetësor dhe i biri i tij.
Kështu edhe një herë po konfirmohet qëndrimi ynë së kjo qeveri funksionon vetëm për interesa të ngushta klanore, herë të LSDM-së e herë të BDI-së, varësisht kush e drejton me dikasterin përkatës.
Andaj, AlternAtivA konstaton se Programi për investim në mjedisin jetësor për vitin 2021 nuk ka të bëjë fare për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe të ekologjisë në vend, por ka të bëjë vetëm më pasurimin e funksionarëve të BDI-së. Krejt kjo po ndodhë kur kjo qeveri ka krijuar resor për luftë kundër korrupsionit, që si duket më shumë merret me evidentimin aferave korruptive ose, mbase, edhe me motivimin e tyre sesa me parandalimin e tyre.
Sidoqoftë, shpresojmë se tragjikomedia e kësaj Qeverie të përfundojë sa më parë dhe kështu qytetarët të shpëtojnë nga kjo qeverisje antipopullore.

AlternAtivA – Shkup