Mësohen emrat e kandidatëve të PD dhe PS për zgjedhjet e 6 marsit. Ndërsa kanë mbetur rreth 5 javë nga zgjedhjet e pjesshme lokale për 6 bashkitë pa kryetarë, si maxhoranca ashtu edhe opozita ende nuk kanë publikuar emrat me të cilët do të përfaqësohen.

Pavarësisht vonesave në konfirmime, kampet politike ziejnë me emrat e mundshëm dhe propozimet që vijnë kryesisht nga drejtuesit politikë në këto qarqe, pasi ata janë në mënyrë indirekte edhe të besuarit e kryetarëve.

Dy bashkitë më të mëdha të këtyre zgjedhjeve janë Durrësi e Shkodra, të cilave u është kushtuar shumë vëmendje në çdo zgjedhje. Burime pranë Partisë Demokratike bëjnë me dije se, ndonëse ende nuk ka emra përfundimtarë, dy kandidatët më të mundshëm për këto dy Bashki janë përkatësisht Luan Hoti në Durrës e Xhemal Bushati në Shkodër.

Xhemal Bushati u zgjodh së fundmi si anëtar i Komisionit të Etikës në Partinë Demokratike, komision ky që kryesohet nga Flutura Açka. Bushati ka qenë edhe kryetar i Këshillit Bashkiak Shkodër.

Ndërkohë në kampin socialist përflitet si kandidate e mundshme Majlianda Angoni, e cila aktualisht është prefekte e qarkut të Shkodrës. Por e djathta, edhe në Shkodër pritet të jetë e përçarë, ku krahas Xhemal Bushatit, flitet se Voltana Ademi mund të përfaqësojë Komisionin e Rithemelimit të PD në këto zgjedhje. Ndërsa Luan Hoti është kryetari i Partisë Demokratike Dega Durrës pasi zëvendësoi në këtë post Ferdinand Xhaferrajn.

Një tjetër Bashki e rëndësishme është ajo e Lushnjës, ku nga kampi ‘Basha’ është diskutuar emri i Elton Banos dhe Darien Xhindolit, ndërsa Komisioni i Rithemelimit ka shpallur kandidatë të mundshëm, të cilët do i nënshtrohen votes së anëtarësisë, Arben Zajmi, Elton Bano, Eurion Iljazi dhe Indrit Qerimi.

Në kampin Socialist përflitet se kryetarja e bashkisë në detyrë, Eriselda Sefa dhe mjeku i njohur Asfloral Haxhiu si dy kandidatura të mundshme, por fjala e fundit i takon Kryesisë së PS.

Një bashki që prej vitesh prodhon debat e incidente politike është edhe ajo e Dibrës. Për këtë bashki burime nga PD bëjnë me dije se emrat për të cilët po diskutohet janë Gentian Sadiku, avokatja Esmeralda Beça, Shkelzen Qoka dhe Jeton Kaloshi.

Nga ana tjetër burime pranë kampit socialist thane se mazhoranca ka propozuar 4 emra: atë të Shkëlqim Murrës, i cili është kryetar i komanduar, Agron Cerri, kryetar i PS Dibër, si dhe Hysen Uka, Përgjegjës i zyrës së gjendjes civile Qarku Dibër.

Ndërkohë ende pa emra konkretë mbetet Bashkia Rrogozhinë dhe ajo e Vorës