FILE PHOTO: U.S. President Joe Biden speaks about his $2 trillion infrastructure plan during an event to tout the plan at Carpenters Pittsburgh Training Center in Pittsburgh, Pennsylvania, U.S., March 31, 2021. REUTERS/Jonathan Ernst

Presidenti i SHBA Joe Biden shpreson të ulë shkallën e vdekshmërisë nga kanceri me të paktën 50% gjatë 25 viteve të ardhshme. Për ta arritur këtë, ai do të përdorë programin e quajtur “Cancer Moonshot”, një nismë e administratës Obama.

Presidenti amerikan e paraqet këtë betejë si diçka shumë personale, pasi djali i tij vdiq në vitin 2015 në moshën 46-vjeçare nga tumori në tru. Pikërisht atëherë Biden nisi këtë iniciativë, të cilën tani dëshiron ta “risjellë”, sipas Shtëpisë së Bardhë.

“Vdekshmëria nga kanceri është ulur tashmë me 25% në 20 vitet e fundit falë reduktimit të pirjes së duhanit, por edhe përmirësimit të trajtimeve dhe diagnostikimit sa më të hershëm. Qeveria e SHBA dëshiron të vazhdojë këto përpjekje dhe të përmirësojë trajtimin në dispozicion të pacientëve. Qëllimi është “t’i japim fund kancerit siç e njohim sot”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

“Cancer Moonshot” do të krijojë një ekip zyrtarësh nga agjenci të ndryshme për të koordinuar veprimet e qeverisë, ndërsa Shtëpia e Bardhë do të mbajë një takim me shumë palë dhe do të hapë një faqe interneti.

Njoftimet pritet të bëhen sot gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë ku do të marrin pjesë rreth 100 persona, përfshirë studiues, anëtarë shoqatash dhe pacientë.

Nënpresidentja Kamala Harris dhe Zonja e Parë Jill Biden do të jenë gjithashtu të pranishme.