Sindikatat kanë reaguar me tërbim pasi shefi i Bankës së Anglisë u kërkoi punëtorëve të mos kërkojnë rritje të mëdha pagash, për të ndihmuar në ndalimin e rritjes së çmimeve jashtë kontrollit. Andrew Bailey i tha “BBC-së” se rritja e pagave duhet të jetë e moderuar me firmat që tregojnë “përmbajtje” në bisedimet për pagat. Kur u pyet nëse Banka po u kërkonte punëtorëve të mos kërkonin rritje të mëdha pagash, zoti Bailey tha: “Gjerësisht, po”.

Downing Street dhe Thesari u distancuan nga komentet e zotit Bailey. Sindikata GMB i cilësoi komentet si një “shaka të sëmurë”, ndërsa Kongresi i Sindikatave tha se thirrjet për kufizim page ishin “të pabazuara”. “T’u thuash njerëzve punëtorë që e mbajtën këtë vend përmes pandemisë se nuk meritojnë një rritje pagash është skandaloze. Është një shaka e sëmurë,” tha Gary Smith, sekretari i përgjithshëm i GMB-së. Shefja e ekonomisë së Kongresit të Sindikatave, Kate Bell tha se rritja e pagave me një ritëm më të ngadaltë do të “shtrëngonte edhe më shumë buxhetet familjare” raporton gazetari Michael Race i “BBC-së”.

“Çmimet e energjisë po e shtyjnë inflacionin dhe jo kërkesat për paga. Britania ka nevojë për një rritje pagash dhe jo për një dekadë të humbur pagash dhe standardesh jetese,” shtoi ajo. Udhëheqësja e Unite, Sharon Graham tha se punëtorët nuk kishin nevojë për “leksione” nga zoti Bailey “për ushtrimin e kufizimit të pagave”. “Le të jemi të qartë, kufizimi i pagave nuk është asgjë më shumë se një thirrje për një ulje kombëtare të pagave”.

Kur u pyet për komentet e zotit Bailey, zëdhënësi zyrtar i kryeministrit tha: “Epo, nuk është diçka për të cilën po kërkon kryeministri. Ne duam padyshim një ekonomi me rritje të lartë dhe duam që pagat e njerëzve të rriten”. Kancelari Rishi Sunak tha të enjten se nuk ishte detyra e tij të përcaktonte pagat e sektorit privat dhe se mënyra e duhur për të arritur paga më të larta ishte përmes produktivitetit më të madh.

Çmimet pritet të rriten më shpejt sesa paga, duke vënë në presion më të madh financat e familjeve në dekada, me punëtorët që do të përjetojnë goditjen më të madhe në të ardhurat e tyre që nga viti 1990. Punëtorët aktualisht po marrin një rritje pagash prej më pak se 5%. Ndërkohë, Instituti i Qendrës së Pagave të Larta tha se komentet e zotit Bailey “ndonëse jo me qëllim të keq” ishin “sinqerisht absurde” dhe “fyese”.

Instituti i Qendrës së Pagave të Larta tha se rritja e kostos së jetesës pasoi më shumë se një dekadë stanjacioni të pagave, gjatë së cilës drejtuesit e lartë paguheshin 86 herë më shumë se punëtori mesatar. “Është koha që ata me shpatullat më të gjera të fillojnë me të vërtetë të marrin më shumë nga barra e sfidave ekonomike me të cilat përballemi” shtoi Instituti i Qendrës së Pagave të Larta.

Disa industri dhe profesione po shohin rritje më të mëdha pagash për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Për shembull, shoferët e kamionëve, të cilët janë shumë të kërkuar kanë marrë rritje të pagës deri në 20%.